Jobi 26

1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: "Si e ke ndihmuar të dobëtin,
2 ose si e ke ndihmuar krahun pa forcë?
3 Si e ke këshilluar atë që nuk ka dituri, dhe çfarë njohurish të mëdha i ke komunikuar?
4 Kujt ia ke drejtuar fjalët e tua, dhe e kujt është fryma që ka dalë prej teje?
5 Të vdekurit dridhen nën ujërat, dhe kështu bëjnë edhe banorët e tyre.
6 Para atij Sheoli është i zbuluar, Abadoni është pa vel.
7 Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.
8 I mbyll ujërat në retë e tij, por ato nuk çahen nën peshën e tyre.
9 E mbulon pamjen e fronit të tij, duke shtrirë mbi të retë e tij.
10 Ka shënuar një kufi të veçantë mbi sipërfaqen e ujërave, në kufirin e dritës me terrin.
11 Kollonat e qiellit dridhen dhe habiten nga kërcënimi i tij.
12 Me forcën e tij qetëson detin, me zgjuarsinë tij ka rrëzuar Rahabin.
13 Me Frymën e tij ka zbukuruar qiejt, dora e tij ka shpuar tejpërtej gjarpërin dredharak.
14 Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç'murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?