1 |
I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë. |
2 |
I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh. |
3 |
Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme. |
4 |
Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht, |
5 |
por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar. |
6 |
Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes, |
7 |
në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit. |
8 |
Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë. |
9 |
Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde. |
10 |
Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi. |
11 |
Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua. |
12 |
I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij, |
13 |
këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t'ia tregoni brezave që do të vijnë. |
14 |
Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje. |