Psalmet 84

1 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!
2 Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.
3 Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.
4 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)
5 Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!
6 Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.
7 Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
9 Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.
10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.
11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.
12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!