Isaia 15

1 Profecia mbi Moabin. Ar-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar. Po, Kir-Moabi është shkretuar natën dhe është shkatërruar.
2 Éshtë ngjitur në tempull dhe në Didon, në vendet e larta, për të qarë; Moabi ngre një vajtim për Nebin dhe Medebën; të gjitha kokat janë rruar, të gjitha mjekrat janë prerë.
3 Në rrugët e tij ata vishen me thasë, mbi çatitë dhe në sheshet gjithkush ankohet dhe qan me të madhe.
4 Heshboni dhe Elealehu këlthasin, klithma e tyre dëgjohet deri në Jahats; prandaj luftëtarët e Moabit nxjerrin klithma dhembjeje; shpirti i tij drithërohet.
5 Zemra ime vajton për Moabin, të ikurit e të cilit arrijnë deri në Tsoar, si një mëshqerrë trevjeçare. Po, ata e marrin duke qarë të përpjetën e Luhithit dhe nxjerrin britma shkatërrimi në rrugën e Horonaimit;
6 sepse ujërat e Nimrimit janë një shkretim, bari është tharë, bari i njomë është zhdukur; nuk gjelbëron më asgjë.
7 Prandaj pasuritë që i kanë grumbulluar dhe gjërat që kanë mbledhur i çojnë matanë përroit të shelgjeve.
8 Britmat jehojnë nëpër gjithë territorin e Moabit, klithma e tij arrin deri në Eglaim, klithma e tij arrin deri në Beer-Elim.
9 Ujërat e Dimonit janë plot me gjak, sepse do t'i shkaktoj Dimonit të këqija të tjera: një luan për ata që shpëtuan nga Moabi dhe për ata që kanë mbetur në vend.