Zbulesa 18

1 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.
2 Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: ''Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm.
3 Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar''.
4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: ''Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,
5 sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.
6 Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.
7 Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh".
8 Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë''.
9 Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;
10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: ''Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!''.
11 Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre:
12 mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri,
13 dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish.
14 Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t'i gjesh më kurrë.
15 Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë,
16 duke thënë: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!''.
17 Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg
18 dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: ''Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?''.
19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua!
20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë''.
21 Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: ''Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më;
22 dhe zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe borizanëve nuk do të dëgjohet më te ti; dhe çdo mjeshtër i çfarëdo eksperti i arteve nuk do të gjendet më te ti, dhe nuk do të dëgjohet më te ti zëri i gurit të mullirit.
23 Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde.
24 Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe''.