Gjyqtarët 12

1 Njerëzit e Efraimit u mblodhën, kaluan në Tsafon dhe i thanë Jefteut: "Pse shkove të luftosh kundër bijve të Amonit dhe nuk na thirre të vinin bashkë me ty? Ne do t'i vëmë zjarrin shtëpisë sate bashkë me ty brenda".
2 Jefteu iu përgjegj atyre: "Unë dhe populli im kemi pasur një grindje të madhe me bijtë e Amonit; dhe kur ju kërkova ndihmë nuk më liruat nga duart e tyre.
3 Kështu, duke parë se nuk më vinit në ndihmë, vura në rrezik jetën time dhe marshova kundër bijve të Amonit, dhe Zoti m'i dha në duart e mia. Pse, pra, jeni ngritur sot kundër meje për të më luftuar?".
4 Pastaj Jefteu mblodhi tërë njerëzit e Galaadit dhe u ndesh me Efraimin; dhe njerëzit e Galaadit e mundën Efraimin, sepse këta thonin: "Ju Galaaditët jeni ikanakë të Efraimit në mes të Efraimit dhe në mes të Manasit!".
5 Njerëzit e Galaadit zunë vatë e Jordanit para se të arrinin ata të Efraimit; kështu kur ndonje nga ikanakët e Efraimit thoshte: "M lini të kaloj", njerëzit e Galaadit e pyesnin: "A je ti një Efraimit?". Në rast se ai përgjigjej: "Jo", Galaaditët i thonin:
6 "Atëherë thuaj Shiboleth; në rast se ai thoshte "Shiboleth", sepse nuk mund ta shqiptonte si duhet, e kapnin dhe e vrisnin pranë vaut të Jordanit. Në atë kohë u vranë në këtë mënyrë dyzet e dy mijë njerëz të Efraimit.
7 Jefteu ushtroi funksionin e gjyqtarit gjashtë vjet me radhë. Pastaj Jefteu, Galaaditi, vdiq dhe u varros në një nga qytetet e Galaadit.
8 Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Ibtsani nga Betlemi.
9 Ai pati tridhjetë bij; martoi tridhjetë bijat e tij dhe solli nga jashtë tridhjetë vajza për bijtë e tij. Qe gjyqtar i Izraelit shtatë vjet me radhë.
10 Pastaj Ibtsani vdiq dhe u varros në Betlem.
11 Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Eloni, Zabulonit; qe gjyqtar i Izraelit dhjetë vjet me radhë.
12 Pastaj Eloni, Zabulonit, vdiq dhe e varrosën në Ajalon, në vendin e Zabulonit.
13 Mbas tij qe gjyqtar i Izraelit Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti.
14 Ai pati dyzet bij dhe tridhjetë nipa, që u hipnin shtatëdhjetë gomarëve të vegjël. Ai qe gjyqtar i Izraelit tetë vjet me radhë.
15 Pastaj Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti, vdiq dhe e varrosën në Pirathon, në vendin e Efraimit, në krahinën malore të Amalekut.