| 1 | Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha: |
| 2 | "Një njeri i urtë a përgjigjet vallë me njohuri të kota, dhe a mbushet me erëra lindore? |
| 3 | Diskuton vallë me ligjërata boshe dhe me fjalë që nuk shërbejnë për asgjë? |
| 4 | Po, ti heq mëshirën dhe eliminon lutjen përpara Perëndisë. |
| 5 | Sepse prapësia jote t'i sugjeron fjalët dhe ti po zgjedh gjuhën e dinakëve. |
| 6 | Jo unë, por vetë goja jote të dënon, dhe vetë buzët e tua dëshmojnë kundër teje. |
| 7 | A je ti vallë i pari njeri që ka lindur apo je formuar përpara kodrave? |
| 8 | A e ke dëgjuar ti këshillën sekrete të Perëndisë apo vetëm ti zotëroke diturinë? |
| 9 | Çfarë di ti që ne nuk e dimë, ose çfarë kupton ti që nuk e kuptojmë edhe ne? |
| 10 | Midis nesh ka njerëz flokëbardhë dhe pleq më të thinjur se ati yt. |
| 11 | Të duken gjëra të vogla përdëllimet e Perëndisë dhe fjalët e ëmbla që të drejton ty? |
| 12 | Pse, pra, zemra jote të çon larg dhe pse sytë e tu vetëtijnë, |
| 13 | duke e drejtuar zemërimin tënd kundër Perëndisë dhe duke nxjerrë nga goja jote fjalë të tilla?". |
| 14 | "Ç'është njeriu që ta konsiderojë veten të pastër dhe i linduri nga një grua për të qenë i drejtë? |
| 15 | Ja, Perëndia nuk u zë besë as shenjtorëve të tij dhe qiejt nuk janë të pastër në sytë e tij; |
| 16 | aq më pak një qenie e neveritshme dhe e korruptuar, njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë! |
| 17 | Dua të të flas, më dëgjo; do të të tregoj atë që kam parë, |
| 18 | atë që të urtit tregojnë pa fshehur asgjë nga sa kanë dëgjuar prej etërve të tyre, |
| 19 | të cilëve vetëm iu dha ky vend dhe pa praninë e asnjë të huaji në radhët e tyre. |
| 20 | I keqi heq dhembje tërë jetën e tij dhe vitet e caktuara për tiranin janë të numëruara. |
| 21 | Zhurma të llahtarshme arrijnë në veshët e tij, dhe në kohën e bollëkut i sulet rrënuesi. |
| 22 | Nuk ka shpresë kthimi nga errësira, dhe shpata e pret. |
| 23 | Endet e kërkon bukë, po ku mund ta gjejë? Ai e di se dita e territ është përgatitur në krah të tij. |
| 24 | Fatkeqësia dhe ankthi i shtien frikë, e sulmojnë si një mbret gati për betejë, |
| 25 | sepse ka shtrirë dorën e tij kundër Perëndisë, ka sfiduar të Plotfuqishmin, |
| 26 | duke u hedhur me kokëfortësi kundër tij me mburojat e tij të zbukuruara me tokëza. |
| 27 | Ndonëse fytyra e tij është e mbuluar me dhjamë dhe ijet e tij janë fryrë nga shëndoshja e tepërt; |
| 28 | ai banon në qytete të shkretuara, në shtëpi të pabanuara që do të katandisen në grumbuj gërmadhash. |
| 29 | Ai nuk do të pasurohet dhe fati i tij nuk ka për të vazhduar, as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet mbi tokë. |
| 30 | Nuk do të arrijë të çlirohet nga terri, flaka do të thajë lastarët e tij, dhe do të çohet larg nga fryma e gojës së tij. |
| 31 | Të mos mbështetet te kotësia; duke gënjyer veten, sepse kotësia ka për të qenë shpërblimi i tij. |
| 32 | Do të kryhet para kohe, dhe degët e tij nuk do të gjelbërojnë më. |
| 33 | Do të jetë si një hardhi nga e cila merret rrushi ende i papjekur, si ulliri nga i cili shkundet lulja. |
| 34 | Sepse familja e hipokritëve do të jetë shterpë dhe zjarri do të përpijë çadrat e njeriut të korruptuar. |
| 35 | Ata sajojnë paudhësinë dhe shkaktojnë shkatërrimin; në gjirin e tyre bluhet mashtrimi. |