| 1 | Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha: |
| 2 | "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte, |
| 3 | kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës; |
| 4 | siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time, |
| 5 | kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark; |
| 6 | kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji. |
| 7 | Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh, |
| 8 | të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë; |
| 9 | princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë; |
| 10 | zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza. |
| 11 | veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua, |
| 12 | sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte. |
| 13 | Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve. |
| 14 | Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë. |
| 15 | Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin; |
| 16 | isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja. |
| 17 | I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij. |
| 18 | Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra; |
| 19 | rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time; |
| 20 | lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time". |
| 21 | Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time. |
| 22 | Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese. |
| 23 | Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit. |
| 24 | Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime. |
| 25 | Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit. |