| 1 | Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij. |
| 2 | Kështu Jobi mori fjalën dhe tha: |
| 3 | "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!". |
| 4 | Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita! |
| 5 | E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë! |
| 6 | Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve! |
| 7 | Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi. |
| 8 | E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin. |
| 9 | U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon, |
| 10 | sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi. |
| 11 | Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj? |
| 12 | Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë? |
| 13 | Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja, |
| 14 | bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara, |
| 15 | ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre. |
| 16 | Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën? |
| 17 | Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit. |
| 18 | Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit. |
| 19 | Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij. |
| 20 | Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim, |
| 21 | të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura; |
| 22 | gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin? |
| 23 | Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë? |
| 24 | Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji. |
| 25 | Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh. |
| 26 | Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi". |