| 1 | "Tani përkundrazi më të rinjtë se unë më përqeshin, ata që etërit e tyre nuk do të kishin pranuar t'i vija midis qenve të kopesë sime. |
| 2 | Fundja, për çfarë do të më shërbente forca e duarve të tyre? Fuqia e tyre është shkatërruar. |
| 3 | Të sfilitur nga mizerja dhe nga uria, ikin natën në shketëtirën e shkretuar dhe shterpë, |
| 4 | duke shkulur bar të hidhur pranë gëmushave dhe rrënjë gjineshtre për ushqimin e tyre. |
| 5 | Janë përzënë nga mjediset prej njerëzve që ulërijnë prapa tyre si të ishin vjedhës. |
| 6 | Janë të detyruar të jetojnë në skërkat e luginave, në shpellat e tokës dhe midis shkëmbinjve; |
| 7 | ulërijnë midis kaçubeve dhe shtrëngohen bashkë nën ferrishtat; |
| 8 | njerëz budallenj, po, njerëz pa vlerë, të dëbuar nga vendi i tyre. |
| 9 | Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre. |
| 10 | Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë. |
| 11 | Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë thyer çdo fre para meje. |
| 12 | Këta zuzarë çohen në të djathtën time, i shtyjnë larg këmbët e mia dhe përgatitin kundër meje rrugët që të më shkatërrojnë. |
| 13 | Prishin rrugën time, keqësojnë fatkeqësinë time, megjithëse askush nuk i ndihmon. |
| 14 | Afrohen si nëpërmjet një të çare të madhe, sulen kundër meje si një stuhi. |
| 15 | Më sulmojnë tmerre; gjuajnë nderin tim si era, dhe begatia ime zhdavaritet si një re. |
| 16 | Unë shkrihem përbrenda, dhe ditët e hidhërimit më kanë pushtuar. |
| 17 | Natën ndjej sikur më shpojnë kockat, dhe dhembjet më brejnë pa pushim. |
| 18 | Nga dhuna e madhe rrobat e mia deformohen, më shtrëngojnë përreth si jaka e mantelit tim. |
| 19 | Ai më ka hedhur në baltë dhe jam bërë si pluhuri dhe hiri, |
| 20 | Unë të bërtas ty, dhe ti nuk më përgjigjesh; të rri përpara, por ti rri duke më shikuar. |
| 21 | Je bërë mizor me mua; më përndjek me fuqinë e dorës sate. |
| 22 | Më ngre lart mbi erën, bën që të eci kaluar mbi të dhe më zhduk në stuhi. |
| 23 | E di në të vërtetë që ti më çon në vdekje, në shtëpinë ku mblidhen gjithë të gjallët. |
| 24 | me siguri nuk do ta shtrijë dorën e tij te varri, megjithëse në fatkeqësinë e tij bërtet për të kërkuar ndihmë. |
| 25 | A nuk kam qarë vallë për atë që ishte në fatkeqësi, dhe a nuk jam hidhëruar për të varfrin? |
| 26 | Kur prisja të mirën, erdhi e keqja; kur prisja dritën, erdhi errësira. |
| 27 | Zorrët e mia ziejnë pa pushim, kanë ardhur për mua ditë vuajtjesh. |
| 28 | Shkoj rreth e qark i nxirë, krejt, por jo nga dielli; ngrihem në kuvend dhe bërtas për të kërkuar ndihmë. |
| 29 | Jam bërë vëlla me çakallin dhe shok me strucin. |
| 30 | Lëkura ime që më mbulon është nxirë dhe kockat e mia digjen nga nxehtësia. |
| 31 | Qestja ime shërben vetëm për vajtime dhe flauti im për tinguj vajtues. |