| 1 | A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave? |
| 2 | A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin? |
| 3 | Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre. |
| 4 | Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre. |
| 5 | Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër, |
| 6 | të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë? |
| 7 | Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie. |
| 8 | Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër. |
| 9 | Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd? |
| 10 | A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje? |
| 11 | A do t'i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t'ia lësh atij punën tënde? |
| 12 | A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë? |
| 13 | Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut. |
| 14 | Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur. |
| 15 | duke harruar që një këmbë mund t'i shtypë ose një kafshë e fushave mund t'i shkelë. |
| 16 | I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë, |
| 17 | sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi. |
| 18 | Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij. |
| 19 | A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten? |
| 20 | A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr. |
| 21 | Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë. |
| 22 | Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës. |
| 23 | Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta. |
| 24 | Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria. |
| 25 | Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës. |
| 26 | Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut? |
| 27 | Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta? |
| 28 | Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta. |
| 29 | Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg. |
| 30 | Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo". |