| 1 | Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha: |
| 2 | "Deri kur do të flasësh në këtë mënyrë, dhe fjalët e gojës sate do të jenë si një erë e furishme? |
| 3 | A mundet Perëndia të shtrëmbërojë gjykimin dhe i Potfuqishmi të përmbysë drejtësinë? |
| 4 | Në rast se bijtë e tu kanë mëkatuar kundër tij, ai i ka braktisur në prapësinë e tyre. |
| 5 | Por në rast se ti e kërkon Perëndinë dhe i lutesh fort të Plotfuqishmit, |
| 6 | në rast se je i pastër dhe i ndershëm, me siguri ai do të ngrihet në favorin tënd dhe do të rivendosë selinë e drejtësisë sate. |
| 7 | Ndonëse gjendja jote e kaluar ka qenë një gjë e vogël, |
| 8 | e ardhmja jote do të jetë e madhe. Pyet, pra, brezat që shkuan dhe shqyrto gjërat e zbuluara nga etërit e tyre; |
| 9 | ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije. |
| 10 | A nuk do të mësojnë vallë ata dhe nuk do të flasin, duke nxjerrë fjalë nga zemra e tyre? |
| 11 | A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë? |
| 12 | Ndërsa është ende i gjelbër, pa qenë prerë, ai thahet para çdo bari tjetër. |
| 13 | Këto janë rrugët e të gjithë atyre që harrojnë Perëndinë; kështu shpresa e të paudhit tretet. |
| 14 | Besimi i tij do të pritet dhe sigurimi i tij është si një pëlhurë merimange. |
| 15 | Ai mbështetet te shtëpia e tij, ajo nuk qëndron; kapet te ajo, por ajo nuk mban. |
| 16 | Ai është krejt i gjelbër në diell dhe degët e tij zgjaten mbi kopshtin e tij; |
| 17 | dhe rrënjët e tij pleksen rreth një grumbulli gurësh dhe depërtojnë midis gurëve të shtëpisë. |
| 18 | Por në rast se shkëputet nga vendi i tij, ky e mohon, duke thënë: "Nuk të kam parë kurrë!". |
| 19 | Ja, ky është gëzimi i mënyrës së tij të të jetuarit, ndërsa të tjerët do të dalin nga pluhuri. |
| 20 | Ja, Perëndia nuk e flak njeriun e ndershëm, as i ndihmon keqbërësit. |
| 21 | Ai do t'i japë edhe më buzëqeshje gojës sate dhe këngë gëzimi buzëve të tua. |
| 22 | Ata që të urrejnë do të mbulohen me turp dhe çadra e të paudhëve do të zhduket". |