| 1 | Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. |
| 2 | Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij. |
| 3 | Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin. |
| 4 | Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. |
| 5 | Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij, |
| 6 | ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij. |
| 7 | Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën. |
| 8 | Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij, |
| 9 | besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut, |
| 10 | që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, |
| 11 | duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj", |
| 12 | kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend, |
| 13 | dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër. |
| 14 | Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre, |
| 15 | dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi". |
| 16 | Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh. |
| 17 | Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. |
| 18 | I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri. |
| 19 | Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë. |
| 20 | Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin, |
| 21 | dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij, |
| 22 | për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë. |
| 23 | Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit. |
| 24 | Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij. |
| 25 | Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij. |
| 26 | Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur. |
| 27 | Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit. |
| 28 | Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij. |
| 29 | I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij. |
| 30 | Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre. |
| 31 | Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre. |
| 32 | U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre; |
| 33 | goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre. |
| 34 | Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh, |
| 35 | që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre. |
| 36 | Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre; |
| 37 | dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej. |
| 38 | Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta. |
| 39 | Ai shpalosi një re për t'i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t'i ndriçuar natën. |
| 40 | Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit. |
| 41 | Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë. |
| 42 | Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij; |
| 43 | pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi, |
| 44 | dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve, |
| 45 | me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t'u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja. |