| 1 | Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 2 | Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit, |
| 3 | add dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu. |
| 4 | Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin. |
| 5 | Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej. |
| 6 | Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre; |
| 7 | dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin. |
| 8 | Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve. |
| 9 | Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur. |
| 10 | Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira, |
| 11 | sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit; |
| 12 | prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë. |
| 13 | Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre, |
| 14 | i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre. |
| 15 | Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve, |
| 16 | sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri. |
| 17 | Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre; |
| 18 | ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes, |
| 19 | por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre. |
| 20 | Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa. |
| 21 | Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve; |
| 22 | le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi. |
| 23 | Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha, |
| 24 | shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit. |
| 25 | Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit. |
| 26 | Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi. |
| 27 | Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç'të bëjnë. |
| 28 | Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre. |
| 29 | Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë. |
| 30 | Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre. |
| 31 | Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve; |
| 32 | le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve. |
| 33 | Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata; |
| 34 | tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj. |
| 35 | Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji. |
| 36 | Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar, |
| 37 | mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme. |
| 38 | Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre. |
| 39 | Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit. |
| 40 | Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë. |
| 41 | Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope. |
| 42 | Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur. |
| 43 | Ai që është i urtë le t'i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit. |