| 1 | O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht, |
| 2 | sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare; |
| 3 | më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak. |
| 4 | Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes. |
| 5 | Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje. |
| 6 | Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij. |
| 7 | Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat. |
| 8 | Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij. |
| 9 | Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve. |
| 10 | U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara. |
| 11 | Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij. |
| 12 | Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij. |
| 13 | U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë. |
| 14 | U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë. |
| 15 | U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre. |
| 16 | Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t'u shkaktonte vdekjen. |
| 17 | Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij. |
| 18 | Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij; |
| 19 | Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë. |
| 20 | Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje. |
| 21 | Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde, |
| 22 | sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje. |
| 23 | Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec. |
| 24 | Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit. |
| 25 | Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën. |
| 26 | Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde, |
| 27 | dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë. |
| 28 | Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet. |
| 29 | U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel, |
| 30 | Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe, |
| 31 | sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje. |