| 1 | Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 2 | Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 3 | Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 4 | atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 5 | atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 6 | atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 7 | atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 8 | diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 9 | hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 10 | Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 11 | dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 12 | me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 13 | Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 14 | dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 15 | por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 16 | Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 17 | atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 18 | dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë; |
| 19 | Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 20 | dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 21 | Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 22 | në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 23 | Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, |
| 24 | dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 25 | Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |
| 26 | Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. |