| 1 | Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time. |
| 2 | Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen. |
| 3 | Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij. |
| 4 | Unë e kërkova Zotin, dhe ai m'u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia. |
| 5 | Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan. |
| 6 | Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij. |
| 7 | Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron. |
| 8 | Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai. |
| 9 | Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij. |
| 10 | Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë. |
| 11 | Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t'ju mësoj frikën e Zotit. |
| 12 | Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën? |
| 13 | Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra. |
| 14 | Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje. |
| 15 | Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre. |
| 16 | Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut. |
| 17 | Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre. |
| 18 | Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar. |
| 19 | Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha. |
| 20 | Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet. |
| 21 | Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen. |
| 22 | Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet. |