| 1 | O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd. |
| 2 | Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp. |
| 3 | Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim. |
| 4 | Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua. |
| 5 | Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime. |
| 6 | Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi, |
| 7 | sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim. |
| 8 | Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime. |
| 9 | O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur. |
| 10 | Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur. |
| 11 | Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje. |
| 12 | Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën. |
| 13 | Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën. |
| 14 | Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij. |
| 15 | Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im. |
| 16 | Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje". |
| 17 | Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje, |
| 18 | ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin, |
| 19 | armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen. |
| 20 | Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës. |
| 21 | O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë. |
| 22 | Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im. |