| 1 | Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua. |
| 2 | Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t'i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti. |
| 3 | Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje. |
| 4 | Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë. |
| 5 | Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë. |
| 6 | Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi. |
| 7 | Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar. |
| 8 | Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t'i gjykojë popujt me paanësi. |
| 9 | Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice. |
| 10 | Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë. |
| 11 | Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij. |
| 12 | Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve. |
| 13 | Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë, |
| 14 | me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd. |
| 15 | Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur. |
| 16 | Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela) |
| 17 | Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë. |
| 18 | Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë. |
| 19 | Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje. |
| 20 | O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela) |