Jesus · Bible · HTML · CSS · JS · PHP · SVG · Applications

Psalmet 94

1O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.
2Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.
3Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?
4Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.
5Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.
6Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,
7dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".
8Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?
9Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?
10Ai që ndreq kombet, a nuk do t'i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?
11Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.
12Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,
13për t'i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t'i hapet gropa të pabesit.
14Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.
15Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t'i shkojnë pas.
16Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?
17Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.
18Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.
19Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.
20Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?
21Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
22Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.
23Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t'i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë.
HomeMenu