| 1 | Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, |
| 2 | për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura; |
| 3 | për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri, |
| 4 | për t'u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut. |
| 5 | I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta, |
| 6 | për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta. |
| 7 | Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin. |
| 8 | Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate, |
| 9 | sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde. |
| 10 | Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano, |
| 11 | në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak; |
| 12 | le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë; |
| 13 | ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka; |
| 14 | ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme"; |
| 15 | biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre, |
| 16 | sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak. |
| 17 | Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh; |
| 18 | por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre. |
| 19 | Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë. |
| 20 | Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; |
| 21 | ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit; |
| 22 | "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen? |
| 23 | Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t'ju bëj të njohura fjalët e mia. |
| 24 | Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, |
| 25 | përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, |
| 26 | edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani, |
| 27 | kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi. |
| 28 | Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. |
| 29 | Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, |
| 30 | nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia. |
| 31 | Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. |
| 32 | Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk; |
| 33 | por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe". |