| 1 | Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin. |
| 2 | Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë. |
| 3 | Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit. |
| 4 | Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht. |
| 5 | I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet. |
| 6 | Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin. |
| 7 | Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri. |
| 8 | Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim. |
| 9 | Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet. |
| 10 | Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave. |
| 11 | Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo. |
| 12 | Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës. |
| 13 | Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet. |
| 14 | Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes. |
| 15 | Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm. |
| 16 | Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij. |
| 17 | Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim. |
| 18 | Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet. |
| 19 | Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja. |
| 20 | Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq. |
| 21 | E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën. |
| 22 | Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin. |
| 23 | Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie. |
| 24 | Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë. |
| 25 | I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria. |