| 1 | Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. |
| 2 | Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët. |
| 3 | Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen. |
| 4 | Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë. |
| 5 | Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. |
| 6 | Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja. |
| 7 | Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të. |
| 8 | Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi. |
| 9 | Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij. |
| 10 | Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë. |
| 11 | Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij. |
| 12 | Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë. |
| 13 | Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt. |
| 14 | Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë. |
| 15 | Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit. |
| 16 | Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend. |
| 17 | Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij. |
| 18 | Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. |
| 19 | Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët. |
| 20 | Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur. |
| 21 | I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë. |
| 22 | Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve. |
| 23 | Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij. |
| 24 | Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat. |
| 25 | Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes. |
| 26 | Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit. |
| 27 | Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur. |
| 28 | Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë. |
| 29 | Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë. |
| 30 | Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen. |
| 31 | Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë. |
| 32 | Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet. |
| 33 | Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti. |