| 1 | Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, |
| 2 | duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; |
| 3 | po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, |
| 4 | në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, |
| 5 | atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë. |
| 6 | Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja. |
| 7 | Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri |
| 8 | për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij. |
| 9 | Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës. |
| 10 | Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, |
| 11 | të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë, |
| 12 | për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija, |
| 13 | nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ, |
| 14 | që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq, |
| 15 | shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha, |
| 16 | për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese, |
| 17 | që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë. |
| 18 | Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve. |
| 19 | Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës. |
| 20 | Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve. |
| 21 | Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; |
| 22 | por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj. |