| 1 | Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari. |
| 2 | I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti. |
| 3 | Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen. |
| 4 | Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta. |
| 5 | Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre. |
| 6 | Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket. |
| 7 | I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit. |
| 8 | Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet. |
| 9 | Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit. |
| 10 | Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë. |
| 11 | Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin. |
| 12 | Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit. |
| 13 | Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës". |
| 14 | Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të. |
| 15 | Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj. |
| 16 | Ai që shtyp të varfërin për t'u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet. |
| 17 | Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime. |
| 18 | sepse për ty do të jetë e këndshme t'i ruash në intimitetin tënd dhe t'i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua. |
| 19 | Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty. |
| 20 | A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë, |
| 21 | në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t'u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë? |
| 22 | Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta, |
| 23 | sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t'u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur. |
| 24 | Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak, |
| 25 | që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd. |
| 26 | Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve. |
| 27 | Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes? |
| 28 | Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu. |
| 29 | A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur. |