| 1 | Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni, |
| 2 | sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim. |
| 3 | Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime, |
| 4 | ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh. |
| 5 | Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; |
| 6 | mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë. |
| 7 | Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. |
| 8 | Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson. |
| 9 | Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie". |
| 10 | Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen. |
| 11 | Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. |
| 12 | Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh. |
| 13 | Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote. |
| 14 | Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; |
| 15 | evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje. |
| 16 | Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë; |
| 17 | ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës. |
| 18 | Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë. |
| 19 | Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë. |
| 20 | Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; |
| 21 | mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; |
| 22 | sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre. |
| 23 | Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës. |
| 24 | Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura. |
| 25 | Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. |
| 26 | Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë. |
| 27 | Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja. |