| 1 | Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi dhe princat do të qeverisin me paanësi. |
| 2 | Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur. |
| 3 | Sytë e atyre që shohin nuk do t'u erren më dhe veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të vëmendshëm. |
| 4 | Zemra e njerëzve të pamend do të fitojë njohuri dhe gjuha e atyre që belbëzojnë do të flasë shpejt dhe qartë. |
| 5 | Njeriu i përçmuar nuk do të thirret më fisnik, as i pandershmi nuk do të thirret i pavlerë. |
| 6 | Sepse njeriu i përçmuar thotë gjëra të neveritshme dhe zemra e tij jepet pas paudhësisë, për të kryer pabesi dhe për të thënë gjëra pa respekt kundër Zotit, për ta lënë bosh stomakun e të uriturit dhe për ta lënë thatë atë që vuan nga etja. |
| 7 | Armët e të pandershmit janë të poshtra; ai kurdis plane të këqija për të shkatërruar të mjerin me fjalë gënjeshtare, edhe kuri mjeri pohon të drejtën. |
| 8 | Por njeriu fisnik mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike. |
| 9 | Çohuni, o gra që jetoni në bollëk, dhe dëgjoni zërin tim; o bija pa mend, ia vini veshin fjalës sime! |
| 10 | Brenda një viti dhe disa ditëve ju do të dridheni, o gra pa mend, sepse vjelja e rrushit do të shkojë keq dhe korrje nuk do të ketë. |
| 11 | Fërgëlloni, o gra që jetoni në bollëk, dridhuni o ju gra pa mend. Hiqni veshjet tuaja, zhvishuni dhe vini një grethore në ijët, |
| 12 | duke i rënë gjoksit nëpër arat e mira dhe nëpër vreshtat prodhimtare. |
| 13 | Mbi tokën e popullit tim do të rriten gjemba dhe ferra; po, mbi të gjitha shtëpitë e gëzimit të qytetit të qejfeve. |
| 14 | Sepse pallati do të braktiset, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet, Ofeli dhe kulla do të bëhen për gjithnjë shpella gëzimi për gomarët e egër dhe kullotë për kopetë. |
| 15 | deri sa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll. |
| 16 | Atëherë i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte. |
| 17 | Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë. |
| 18 | Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi, |
| 19 | edhe sikur të binte breshër mbi pyllin dhe qyteti të ulej shumë. |
| 20 | Lum ju që mbillni në breg të të gjithë ujërave dhe që lini të shkojë e lirë këmba e kaut dhe e gomarit. |