| 1 | Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: |
| 2 | "Jepu këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Do të kujdeseni të më paraqisni në kohën e caktuar ofertën time, me ushqimin e flijimeve të mia të përgatitura me zjarr, me erë të këndshme për mua. |
| 3 | Dhe do t'u thuash atyre: Ky është flijimi i bërë me zjarr, që do t'i ofroni Zotit: dy qengja motakë pa të meta, si olokaust i përjetshëm. |
| 4 | Një qengj do ta ofrosh në mëngjes, ndërsa qengjin tjetër në të ngrysur; |
| 5 | dhe, si blatim i ushqimit, një të dhjetë efe majë mielli të përzier me një çerek hini vaji të papërzier. |
| 6 | Éshtë një olokaust i përjetshëm, i vendosur në malin Sinai, një flijim i bërë me zjarr dhe me erë të këndshme për Zotin. |
| 7 | Libacioni i tij do të jetë një çerek hini për çdo qengj; do t'ia derdhësh libacionin e pijeve dehëse Zotit në vendin e shenjtë. |
| 8 | Qengjin tjetër do ta ofrosh në të ngrysur; do ta ofrosh si blatimin e ushqimit të mëngjesit dhe libacionin; është një flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin. |
| 9 | Ditën e shtunë do të ofroni dy qengja motakë, pa të meta dhe, si blatim i ushqimit, dy të dhjeta majë mielli të përziera me vaj bashkë me libacionin. |
| 10 | Éshtë olokausti i së shtunës, për çdo të shtunë, përveç olokaustit të përjetshëm dhe libacionit. |
| 11 | Në fillim të muajve tuaj do t'i ofroni si olokaust Zotit dy dema të vegjël, një dash, shtatë qengja motakë pa të meta |
| 12 | dhe tre të dhjeta majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit për çdo dem të vogël, dy të dhjeta lule mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit për dashin, |
| 13 | dhe një të dhjetë majë mielli të përzier me vaj si blatim i ushqimit për çdo qengj. Éshtë një olokaust me erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin. |
| 14 | Libacionet do të jenë gjysmë hin vere për çdo dem të vogël, një e treta e hinit për çdo dash dhe një e katërta e hinit për çdo qengj. Ky është olokausti i çdo muaji, për të gjithë muajt e vitit. |
| 15 | Dhe do t'i ofrohet Zotit një kec si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm dhe libacionit. |
| 16 | Ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë do të jetë Pashka për nder të Zotit. |
| 17 | Dhe ditën e pesëmbëdhjetë të atij muaji do të jetë festë. Shtatë ditë me radhë do të hahet bukë e ndorme. |
| 18 | Ditën e parë do të mbahet një mbledhje e shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë; |
| 19 | por do t'i ofroni si flijim të bërë me zjarr një olokaust Zotit: dy dema të vegjël, një dash dhe shtatë qengja motakë, të cilët nuk duhet të kenë të meta, |
| 20 | së bashku me blatimin e ushqimit me majë mielli të përzier me vaj; do të ofroni tre të dhjeta për çdo dem të vogël dhe dy të dhjeta për një dash; |
| 21 | Do të ofroni një të dhjetë për secilin nga shtatë qengjat, |
| 22 | dhe do të ofroni një cjap si flijim për mëkatin, për të bërë shlyerjen për ju. |
| 23 | Do të ofroni këto flijime përveç olokaustit të mëngjesit, që është një olokaust i përjetshëm. |
| 24 | Kështu do të ofroni çdo ditë, për shtatë ditë me radhë, ushqimin e flijimit të përgatitur me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin. Do të ofrohet, përveç olokaustit të përjetshëm, bashkë me blatimin e tij. |
| 25 | Ditën e shtatë do të keni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë. |
| 26 | Ditën e marrjes së prodhimit të parë, kur do t'i paraqisni Zotit një blatim të ri ushqimor, në festën tuaj të javëve, do bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të kryeni asnjë punë të rëndë. |
| 27 | Atëherë do të ofroni si olokaust me erë të këndshme për Zotin dy dema të vegjël, një dash dhe shtatë qengja motakë, |
| 28 | me blatimin e tyre ushqimor të përbërë nga majë mielli të përzier me vaj; tre të dhjeta për çdo dem të vogël, dy të dhjeta për dashin, |
| 29 | dhe një të dhjetë për secilin nga shtatë qengjat; |
| 30 | do të ofroni edhe një kec për të kryer shlyerjen për ju. |
| 31 | Do të ofroni këto flijime, veç olokaustit të përjetshëm me blatimin e tyre të ushqimit dhe libacionet e tyre. Duhet të jenë kafshë pa të meta. |