| 1 | ''Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t'ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej. |
| 2 | Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. |
| 3 | Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç'bën e djathta, |
| 4 | që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas. |
| 5 | Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t'i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. |
| 6 | Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht. |
| 7 | Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t'u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë. |
| 8 | Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t'i kërkoni. |
| 9 | Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. |
| 10 | Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell. |
| 11 | Bukën tonë të përditshme na e jep sot. |
| 12 | Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë. |
| 13 | Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen". |
| 14 | Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve; |
| 15 | por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja. |
| 16 | Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t'u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. |
| 17 | Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, |
| 18 | me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht. |
| 19 | Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin, |
| 20 | përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. |
| 21 | Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj. |
| 22 | Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar, |
| 23 | por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira! |
| 24 | Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit. |
| 25 | Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja? |
| 26 | Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata? |
| 27 | Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t'i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm? |
| 28 | Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; |
| 29 | dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata. |
| 30 | Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t'ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë? |
| 31 | Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?". |
| 32 | Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. |
| 33 | Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t'ju shtohen. |
| 34 | Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet''. |