| 1 | Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, |
| 2 | ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, |
| 3 | m'u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t'i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, |
| 4 | që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar. |
| 5 | Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë. |
| 6 | Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit. |
| 7 | Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpe, dhe të dy ishin të kaluar në moshë. |
| 8 | Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet, |
| 9 | sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin. |
| 10 | Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit. |
| 11 | Atëherë një engëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit. |
| 12 | Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika. |
| 13 | Por engjëlli i tha: ''Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t'ia vësh emrin Gjon. |
| 14 | Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij. |
| 15 | Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s'ëmës. |
| 16 | Dhe do t'i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. |
| 17 | Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t'i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t'ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë''. |
| 18 | Dhe Zakaria i tha engjëllit: ''Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë''. |
| 19 | Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: ''Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira. |
| 20 | Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre''. |
| 21 | Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit. |
| 22 | Por, kur doli, nuk mundi t'u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë. |
| 23 | Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet. |
| 24 | Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte: |
| 25 | ''Ja ç'më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve''. |
| 26 | Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, |
| 27 | te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria. |
| 28 | Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: ''Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë''. |
| 29 | Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. |
| 30 | Dhe engjëlli i tha: ''Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. |
| 31 | Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jezus. |
| 32 | Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij; |
| 33 | dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur''. |
| 34 | Dhe Maria i tha engjëllit: ''Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?''. |
| 35 | Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ''Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. |
| 36 | Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, |
| 37 | sepse me Perëndinë asgjë s'është e pamundshme''. |
| 38 | Atëherë Maria tha: ''Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate''. Dhe engjëlli u largua prej saj. |
| 39 | Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë, |
| 40 | dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën. |
| 41 | Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë, |
| 42 | dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: ''Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. |
| 43 | Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë? |
| 44 | Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim. |
| 45 | Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!''. |
| 46 | Dhe Maria tha: ''Shpirti im e madhëron Zotin, |
| 47 | dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, |
| 48 | sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume, |
| 49 | sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij! |
| 50 | Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë. |
| 51 | Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre; |
| 52 | i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit; |
| 53 | i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit. |
| 54 | Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij, |
| 55 | ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë''. |
| 56 | Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet. |
| 57 | Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë. |
| 58 | Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të. |
| 59 | Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t'ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij; |
| 60 | por e ëma ndërhyri dhe tha: ''Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon''. |
| 61 | Dhe ata i thanë: ''S'ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër''. |
| 62 | Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t'i quhej. |
| 63 | Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: ''Emri i tij është Gjon''. Dhe të gjithë u mrrekulluan. |
| 64 | Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë. |
| 65 | Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë. |
| 66 | Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: ''Vallë kush do të jetë ky fëmijë?''. Dhe dora e Zotit ishte me të. |
| 67 | Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë: |
| 68 | Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet; |
| 69 | dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, |
| 70 | ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë |
| 71 | prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë, |
| 72 | për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë, |
| 73 | betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë, |
| 74 | për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t'i shërbejmë pa frikë, |
| 75 | në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë. |
| 76 | Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij, |
| 77 | për t'i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre; |
| 78 | për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar, |
| 79 | për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes''. |
| 80 | Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t'i zbulohej Izraelit. |