| 1 | Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë. |
| 2 | Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli. |
| 3 | Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët. |
| 4 | Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte. |
| 5 | Ata u gëzuan dhe i premtuan t'i japin para. |
| 6 | Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t'ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma. |
| 7 | Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës. |
| 8 | Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: ''Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë''. |
| 9 | Dhe ata e thanë: ''Ku dëshiron ta përgatisim?''. |
| 10 | Atëherë ai tha atyre: ''Ja, kur të hyni në qytet, do t'ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë. |
| 11 | I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?". |
| 12 | Atëherë ai do t'ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet''. |
| 13 | Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën. |
| 14 | Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt. |
| 15 | Atëherë ai u tha atyre: ''Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj, |
| 16 | sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë''. |
| 17 | Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: ''Merrnie këtë dhe ndanie midis jush, |
| 18 | sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë''. |
| 19 | Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''. |
| 20 | Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju. |
| 21 | Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë. |
| 22 | Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!''. |
| 23 | Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë. |
| 24 | Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi. |
| 25 | Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës. |
| 26 | Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben. |
| 27 | Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben. |
| 28 | Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia. |
| 29 | Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im, |
| 30 | që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. |
| 31 | Edhe Zoti tha: ''Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t'ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. |
| 32 | Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu''. |
| 33 | Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''. |
| 34 | Por Jezusi tha: ''Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh''. |
| 35 | Pastaj u tha atyre: ''Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?''. Dhe ata thanë: ''Asgjë''. |
| 36 | U tha, pra, atyre: ''Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një. |
| 37 | Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre''. |
| 38 | Atëherë ata thanë: ''Zot, ja këtu dy shpata''. Por ai u tha atyre ''Mjaft!''. |
| 39 | Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin. |
| 40 | Kur arriti në vend, u tha atyre: ''Lutuni që të mos hyni në tundim''. |
| 41 | Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej, |
| 42 | duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''. |
| 43 | Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t'i dhënë forcë. |
| 44 | Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë. |
| 45 | Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi, |
| 46 | dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''. |
| 47 | Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur. |
| 48 | Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''. |
| 49 | Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''. |
| 50 | Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. |
| 51 | Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi. |
| 52 | Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari? |
| 53 | Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''. |
| 54 | Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg. |
| 55 | Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre. |
| 56 | Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: ''Edhe ky ishte me të''. |
| 57 | Por ai e mohoi duke thënë: ''O grua, nuk e njoh''. |
| 58 | Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: ''Edhe ti je nga ata''. Por Pjetri tha: ''O njeri, nuk jam''. |
| 59 | Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: ''Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas''. |
| 60 | Por Pjetri tha: ''O njeri, s'di ç'po thua''. Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli. |
| 61 | Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: ''Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''. |
| 62 | Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim. |
| 63 | Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin. |
| 64 | Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: "Profetizo, kush është ai që të ra?". |
| 65 | Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij. |
| 66 | Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë: |
| 67 | ''Në se ti je Krishti, na e thuaj''. Por ai u tha atyre: ''Edhe sikur t'jua thoja, nuk do ta besonit. |
| 68 | Edhe sikur t'ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja. |
| 69 | Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë''. |
| 70 | Atëherë të gjithë thanë: ''Je ti, pra, Biri i Perëndisë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Ju thoni se unë jam''. |
| 71 | Atëherë ata thanë: ''Ç'nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij''. |