| 1 | ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar; |
| 2 | kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve. |
| 3 | Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë. |
| 4 | Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. |
| 5 | Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''. |
| 6 | Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste. |
| 7 | Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. |
| 8 | Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar. |
| 9 | Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë. |
| 10 | Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. |
| 11 | Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet. |
| 12 | Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet. |
| 13 | Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet. |
| 14 | Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, |
| 15 | ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet. |
| 16 | Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm. |
| 17 | Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. |
| 18 | Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''. |
| 19 | Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve. |
| 20 | Dhe shumë nga ata thoshnin: ''Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?''. |
| 21 | Të tjerë thoshnin: ''Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t'ua hap sytë të verbërve?''. |
| 22 | U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër. |
| 23 | Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit. |
| 24 | E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: ''Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas''. |
| 25 | Jezusi u përgjigj atyre: ''Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua. |
| 26 | Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë. |
| 27 | Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; |
| 28 | dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. |
| 29 | Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim. |
| 30 | Unë dhe Ati jemi një''. |
| 31 | Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë. |
| 32 | Jezusi u përgjigj atyre: ''Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?''. |
| 33 | Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ''Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi''. |
| 34 | Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"? |
| 35 | Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë), |
| 36 | ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"? |
| 37 | Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, |
| 38 | por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë''. |
| 39 | Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre. |
| 40 | Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty. |
| 41 | Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: ''Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë''. |
| 42 | Dhe atje shumë veta besuan në të. |