| 1 | Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje. |
| 2 | Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë. |
| 3 | Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''. |
| 4 | Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''. |
| 5 | Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''. |
| 6 | Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa. |
| 7 | Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë. |
| 8 | Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan. |
| 9 | Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin, |
| 10 | dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''. |
| 11 | Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të. |
| 12 | Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë. |
| 13 | Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem. |
| 14 | Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur; |
| 15 | dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat, |
| 16 | dhe shitësve të pëllumbave u tha: ''Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!''. |
| 17 | Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: ''Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!''. |
| 18 | Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: ''Ç'shenjë na tregon se i bën këto gjëra?''. |
| 19 | Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!''. |
| 20 | Atëherë Judenjtë thanë: ''U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?''. |
| 21 | Por ai fliste për tempullin e trupit të vet. |
| 22 | Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi. |
| 23 | Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte, |
| 24 | por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë, |
| 25 | dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç'kishte përbrenda njeriut. |