| 1 | Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë, |
| 2 | por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve. |
| 3 | Por Pjetri i tha: ''Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës? |
| 4 | Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!''. |
| 5 | Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra. |
| 6 | Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën. |
| 7 | Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç'kishte ndodhur. |
| 8 | Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: ''Më thuaj, a e shitët arën për kaq?''. Dhe ajo u përgjigj: ''Po, për aq''. |
| 9 | Atëherë Pjetri i tha: ''Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!''. |
| 10 | Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj. |
| 11 | Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra. |
| 12 | Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit. |
| 13 | Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte. |
| 14 | Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash, |
| 15 | aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata. |
| 16 | Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin. |
| 17 | Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë, |
| 18 | dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik. |
| 19 | Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha: |
| 20 | ''Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete''. |
| 21 | Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t'i sjellë apostujt. |
| 22 | Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre, |
| 23 | duke thënë: ''Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda''. |
| 24 | Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç'donte të thoshte gjithë kjo punë. |
| 25 | Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: ''Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin''. |
| 26 | Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. |
| 27 | Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti, |
| 28 | duke thënë: ''Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu''. |
| 29 | Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: ''Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. |
| 30 | Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru. |
| 31 | Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve. |
| 32 | Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij''. |
| 33 | Kur i dëgjuan këto gjëra, ata u tërbuan dhe vendosën t'i vrasin. |
| 34 | Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment. |
| 35 | Pastaj u tha atyre të sinedrit: ''Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t'u bëni këtyre njerëzve. |
| 36 | Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan. |
| 37 | Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë. |
| 38 | Tani unë po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve dhe t'i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet, |
| 39 | por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!''. |
| 40 | Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë. |
| 41 | Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit. |
| 42 | Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti. |