| 1 | Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve. |
| 2 | Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të. |
| 3 | Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg. |
| 4 | Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën. |
| 5 | Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin. |
| 6 | Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte. |
| 7 | Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin. |
| 8 | Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh. |
| 9 | Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh. |
| 10 | Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: ''Ky është fuqia e madhe e Perëndisë''. |
| 11 | Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari. |
| 12 | Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan. |
| 13 | Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur. |
| 14 | Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin. |
| 15 | Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë, |
| 16 | sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus. |
| 17 | Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë. |
| 18 | Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para, |
| 19 | duke thënë: ''Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t'i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë''. |
| 20 | Por Pjetri i tha: ''Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë. |
| 21 | Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë. |
| 22 | Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate. |
| 23 | Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë''. |
| 24 | Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë''. |
| 25 | Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillzuan shumë fshatra të Samaritanëve. |
| 26 | Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: ''Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë''. |
| 27 | Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar. |
| 28 | Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia. |
| 29 | Dhe Fryma i tha Filipit: ''Afrohu dhe arrije atë karrocë!''. |
| 30 | Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: ''A e kupton atë që lexon?''. |
| 31 | Ai tha: ''E si do të mundja, po s'pata një që të më udhëzojë?''. Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij. |
| 32 | Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: ''Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet. |
| 33 | Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka''. |
| 34 | Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: ''Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?''. |
| 35 | Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin. |
| 36 | Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: ''Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?''. |
| 37 | Dhe Filipi tha: ''Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh''. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ''Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë''. |
| 38 | Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi. |
| 39 | Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim. |
| 40 | Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare. |