| 1 | Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra. |
| 2 | Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla. |
| 3 | Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë? |
| 4 | Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim? |
| 5 | Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë, |
| 6 | që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: |
| 7 | jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira; |
| 8 | ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim. |
| 9 | Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut; |
| 10 | por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut. |
| 11 | Sepse te Perëndia nuk ka anësi. |
| 12 | Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin do të gjykohen sipas ligjit, |
| 13 | sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen. |
| 14 | Në fakt kur johebrenjtë, që s'kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s'kanë ligjin, janë ligj për vetveten; |
| 15 | këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin, |
| 16 | ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim. |
| 17 | Ja, ti quhesh Jude, bazohesh mbi ligjin dhe lëvdohesh në Perëndinë, |
| 18 | njeh vullnetin e tij dhe dallon gjërat e rëndësishme, duke qenë i mësuar prej ligjit, |
| 19 | dhe je i bindur se je prijësi i të verbërve, drita e atyre që janë në errësirë, |
| 20 | udhëzues i të marrëve, mësues i të miturve, sepse ke formën e njohurisë dhe të së vërtetës në ligj. |
| 21 | Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? |
| 22 | Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën? Ti që ke neveri për idhujt, pse i plaçkit tempujt? |
| 23 | Ti që lëvdohesh me ligjin, e çnderon Perëndinë duke e shkelur ligjin? |
| 24 | Në fakt, siç është shkruar: ''Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër johebrenj''. |
| 25 | Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet mosrrethprerje. |
| 26 | Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje? |
| 27 | Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit? |
| 28 | Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; |
| 29 | por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia. |