| 1 | Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegja ime me anë të Frymës së Shenjtë; |
| 2 | kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time. |
| 3 | Sepse do të doja të isha vetë i ma-llkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit, |
| 4 | të cilët janë Izraelitë dhe atyre u përket birëria, lavdia, besëlidhjet, shpallja e ligjit, shërbimi hyjnor dhe premtimet; |
| 5 | të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen. |
| 6 | Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë, sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael. |
| 7 | As sepse janë pasardhës e Abrahamit janë të gjithë bij; por: ''Në Isakun do të quhet pasardhja jote''. |
| 8 | Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës. |
| 9 | Sepse kjo është fjala e premtimit: ''Në këtë kohë do të vij dhe Sara do të ketë një bir''. |
| 10 | Dhe jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga një njeri i vetëm, Isakun, atin tonë, |
| 11 | (sepse para se t'i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret), |
| 12 | iu tha asaj: ''Më i madhi do t'i shërbejë më të voglit'', |
| 13 | siç është shkruar: ''E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun''. |
| 14 | Çfarë të themi, pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Aspak! |
| 15 | Ai i thotë në fakt Moisiut: ''Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri''. |
| 16 | Kështu, pra, kjo nuk varet as prej atij që do, as prej atij që vrapon, por nga Perëndia që shfaq mëshirë. |
| 17 | Sepse Shkrimi i thotë Faraonit: ''Pikërisht për këtë gjë të ngrita, që të tregoj te ti fuqinë time dhe që të shpallet emri im mbi mbarë dheun''. |
| 18 | Kështu ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do. |
| 19 | Ti do të më thuash, pra: ''Pse vazhdon të ankohet? Kush mund, në fakt, t'i rezistojë vullnetit të tij?''. |
| 20 | Po kush je ti, o njeri, që i kundërpërgjigjesh Perëndisë? A mund t'i thotë ena mjeshtrit: ''Përse më bërë kështu?''. |
| 21 | A nuk ka vallë fuqi poçari mbi argjitën për të bërë nga po ai brumë një enë për nderim, edhe një tjetër për çnderim? |
| 22 | Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje? |
| 23 | Dhe që të bëjë të njohur pasuritë e lavdisë së tij ndaj enëve të mëshirës, të cilat i përgatiti për lavdi, |
| 24 | mbi ne, që edhe na thirri, jo vetëm nga Judenjtë, por edhe nga johebrenjtë? |
| 25 | Ashtu si thotë ai te Osea: ''Unë do ta quaj popullin tim atë që s'ka qenë populli im dhe të dashur atë të mosdashurin. |
| 26 | Dhe do të ndodhë që atje ku u është thënë atyre: "Ju nuk jeni populli im", atje do të quheni bij të Perëndisë së gjallë''. |
| 27 | Por Isaia thërret për Izraelin: ''Edhe sikur të ishte numri i bijve të Izraelit si rëra e detit, vetëm mbetja e tij do të shpëtohet''. |
| 28 | Në fakt ai do ta realizojë vendimin e tij me drejtësi, sepse Zoti do ta realizojë dhe do ta përshpejtojë vendimin e tij mbi tokë. |
| 29 | Dhe ashtu si profetizoi Isaia: ''Në qoftë se Perëndia i ushtrive nuk do të na kishte lënë farë, do të ishim bërë si Sodoma dhe do t'i kishim ngjarë Gomorës''. |
| 30 | Çfarë të themi, pra? Se johebrenjtë, që nuk kërkuan drejtësinë, e fituan drejtësinë, por atë drejtësi që vjen nga besimi, |
| 31 | ndërsa Izraeli, që kërkonte ligjin e drejtësisë, nuk arriti në ligjin e drejtësisë. |
| 32 | Përse? Sepse e kërkonte jo me anë të besimit, por me anë të veprave të ligjit; sepse ata u penguan në gurin e pengesës, |
| 33 | ashtu siç është shkruar: ''Ja, unë po vë në Sion një gur pengese dhe një shkëmb skandali, dhe kushdo që i beson atij nuk do të turpërohet''. |