| 1 | Kur Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve, i njoftuan sa vijon: "Ja, Davidi është në shkretëtirën e En-Gedit". |
| 2 | Atëherë Sauli mori tre mijë njerëz të zgjedhur nga tërë Izraeli dhe shkoi të kërkojë Davidin dhe njerëzit e tij përballë shkëmbinjve të dhive të egra. |
| 3 | Me të arritur në vathët e deleve gjatë rrugës, ku ndodhej një shpellë, Sauli hyri brenda saj për të bërë një nevojë natyrale. (Davidi dhe njerëzit e tij ishin në fund të shpellës). |
| 4 | Njerëzit e Davidit i thanë: "Kjo është dita gjatë së cilës Zoti të thotë: "Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç'të duash"". Atëherë Davidi u ngrit dhe pa u diktuar preu një cep të mantelit të Saulit. |
| 5 | Por pas kësaj Davidit i rrahu zemra, sepse i kishte prerë cepin e mantelit Saulit. |
| 6 | Kështu u tha njerëzve të tij: "Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit". |
| 7 | Me këto fjalë Davidi i ndali njerëzit e tij dhe nuk i la të hidhen kundër Saulit. Pastaj Sauli u ngrit, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën e tij. |
| 8 | Pas kësaj edhe Davidi u ngrit, doli nga shpella dhe i thirri Saulit, duke thënë: "O mbret, o imzot!". Atëherë Sauli u kthye, dhe Davidi uli fytyrën për tokë dhe u përul. |
| 9 | Davidi i tha Saulit: "Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: "Davidi kërkon të të bëj keq?". |
| 10 | Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: "Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit". |
| 11 | Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën! |
| 12 | Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje. |
| 13 | Ashtu si thotë proverbi i lashtë: "Ligësia vjen nga të liqtë". Por unë nuk do ta shtrij dorën time kundër teje. |
| 14 | Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Cilin je duke persekutuar? Një qen të ngordhur, një plesht? |
| 15 | Zoti le të jetë gjykatës dhe le të sigurojë drejtësi midis meje dhe teje; të ketë mundësinë të shohë dhe të mbrojë çështjen time, të më japë hak, duke më liruar nga duart e tua". |
| 16 | Kur Davidi mbaroi së thëni këto fjalë Saulit, ky i tha: "Ky është zëri yt, biri im David?". Dhe Sauli ngriti zërin dhe filloi të qajë. |
| 17 | Pastaj i tha Davidit: "Ti je më i drejtë se unë, sepse më ke bërë të mira, kurse unë të kam bërë të këqija. |
| 18 | Ti sot tregove qe je sjellë mirë me mua, sepse Zoti më kishte lënë në duart e tua, por ti nuk më vrave. |
| 19 | Kur, pra, një njeri takon armikun e tij dhe e lë të shkojë në paqe? Zoti të dhëntë të mira për atë që më ke bërë sot. |
| 20 | Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua. |
| 21 | Prandaj betomu në emër të Zotit që nuk do t'i vrasësh pasardhësit e mi pas meje dhe nuk do ta fshish emrin tim nga shtëpia e atit tim". |
| 22 | Davidi iu betua Saulit. Pastaj Sauli shkoi në shtëpinë e tij, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij u ngjitën në fortesë. |